Barometri i Orientimit në Karrierë dhe Ndërmarrësi
11 Gusht, 2020 | 794 ViewsBarometri i Orientimit në Karrierë dhe Ndërmarrësisë është hulumtim i cili implementohet nga KCDF dhe ka për qëllim mbështetjen e maturantëve rreth orientimit në karrierë. Të gjeturat e këtij hulumtimi do ndahen me institucionet të cilat janë të përfshira në edukim dhe punësim, si MASH, MPMS, DKA-të, shkollat, bizneset, prindërit, etj., për të mbështetur politikë-bërjen në arsim dhe zbatimin e praktikave relevante, duke ofruar informata mbi perspektivën dhe nevojat e maturantëve në vendin tonë.
Për të raportuar mbi perspektivën e maturantëve rreth orientimin në karrierë është dizajnuar dhe zbatuar një pyetësor, i cili mat konstrukte të ndryshme rreth orientimit në karrierë. Ky pyetësor është vetë-raportues, që do të thotë se rezultatet e tij tregojnë perceptimin e nxënësve mbi shkathtësitë e tyre dhe rolin e shkollës në edukim dhe orientim në karrierë, por edhe rreth planeve të tyre pas përfundimit të shkollës së mesme.
Ky pyetësor përmban pyetje që janë të destinuara për maturantët që planifikojnë të vazhdojnë studimet universitare dhe pyetje për maturantët që synojnë tregun e punës. Në përgjithësi këto janë temat që prek ky hulumtim:
- Të dhënat demografike të nxënësve;
- Planet profesionale pas klasës së XIItë;
- Puna praktike gjatë shkollës së mesme të lartë;
- Qasja në treg të punës;
- Mbështetja rreth orientimit në karrierë.
Këto të gjetura janë raportuar në nivel shkolle, komune, regjioni dhe vendi. Për ta pasur më të lehtë interpretimin dhe kuptimin e të dhënave në hulumtim janë ilustruar tabela dhe grafika të cilat paraqesin rezultatet e hulumtimit.