PËRMBLEDHJE E PROJEKTEVE

Projektet e organizatës

Përmes përvojës dhe përgatitjes profesionale të stafit tonë, në të kaluarën kemi implementuar projekte të shumta dhe aktualisht jemi duke implementuar disa projekte për palë të ndryshme, si ministritë, drejtoritë komunale të arsimit, shkollat dhe organizatat ndërkombëtare. Përfituesit kryesorë të projekteve tona janë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit, bizneset, punëkërkuesit dhe të papunët.

Ngritja dhe koordinimi i Klubeve të Karrierës në SHML

Me qëllim të mbështetjes së mëtejme të shkollave dhe mësimdhënësve për ofrimin e shërbimeve më të mira të orientimit në karrierë, KCDF është në bashkëpunim me programin e USAID, Përkrahje e adoleshentëve pas mësimit të rregullt (ASSET) dhe Asociacionin Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ, për ngritjen e Klubeve të Karrierës në gjimnaze dhe shkolla të mesme profesionale. Synimi i këtij bashkëpunimi është ngritja e Klubeve të Karrierës në shkolla të mesme të larta të vendit dhe ofrimi i mbështetjes së vazhdueshme në ndërlidhjen e tyre me biznese, aftësimin e mësimdhënësve në ofrimin e shërbimeve më të mira të orientimit dhe këshillimit në karrierë, si dhe mbështetjen e nxënësve në njoftimin e tyre me punëdhënësit e tyre të ardhshëm.

Zhvillimi i videove të profesioneve

Në bashkëpunim me programin e USAID, Përkrahje e adoleshentëve pas mësimit të rregullt (ASSET), KCDF ka publikuar në Busulla.COM pesë video të ndryshme mbi profesionet, të përgatitura nga nxënës të shkollave të mesme në kuadër të sfidës së dizajnit. Videot e tilla të profesioneve informojnë të gjithë përdoruesit e Busulla.COM rreth një dite tipike në punën e një profesionisti, përparësitë dhe të metat, njohuritë që kërkohen, e shumë informata të tjera të dobishme për nxënës. Përveç publikimit të videove, ekipi i KCDF u angazhua në përgatitjen e përshkrimit të profesioneve të përzgjedhura për të ofruar sa më shumë informata relevante dhe lehtësisht të qasshme për nxënësit.

Shtrirja e platformës Busulla.COM në komunat me shumicë serbe

Me qëllim të përfshirjes së të gjitha shkollave në të gjithë territorin e vendit për shërbimet e këshillimit dhe orientimit në karrierë, KCDF me mbështetjen e Projektit EYE (Enhancing Youth Employment) parasheh përkthimin e platformës didaktike për edukim dhe orientim në karrierë Busulla.COM në gjuhën serbe dhe trajnimin e 50 mësimdhënësve për orientim në karrierë përmes Busulla.COM. Me përdorimin e kësaj platforme, do të lehtësohet puna e mësimdhënësve në ofrimin e shërbimeve më të mira për nxënës, përderisa nxënësve do t’iu sigurohet mbështetje më efektive në vendimmarrje për shtegun e tyre të karrierës.

Trajnimi i Qendrave të Karrierës në temën “Ligji i punës, etika dhe sjellja profesionale”

Në mbështetje të nxënësve dhe Qendrave të Karrierës në vendin tonë, KCDF ka lansuar projektin ‘’Ligji i punës, etika dhe sjellja profesionale’’ me mbështetjen e Projektit EYE (Enhancing Youth Employment).

Qëllimi i këtij projekti është ngritja e kapaciteteve të Qendrave të Karrierës për ligjërim të modulit “Ligji i punës, etika dhe sjellja profesionale” tek nxënësit e shkollave të mesme profesionale. Nxënësit përmes këtij moduli njoftohen me të drejtat, përgjegjësitë dhe obligimet e tyre në vendin e punës. Gjithashtu, ata kuptojnë se si të ballafaqohen me situata në botën e punës, të cilat mund të sjellin dilema etike, ndërveprimin me kolegët dhe partnerët si dhe rëndësinë e zhvillimit të vazhdueshëm profesional.

Lehtësimi i tranzicionit të nxënësve nga SHMU në SHML

Duke vënë nxënësin në qendër, ky projekt, i cili mbështetet nga Solidar Suisse dhe DKA në Pejë, synon të ofrojë shërbime efikase të orientimit në karrierë për nxënësit e klasës së IX-të në komunën e Pejës. Përmes këtij projekti, atyre iu ofrohen metoda dhe instruksione për t’ua mundësuar një vendimmarrje të mirinformuar në lidhje me karrierën e tyre, respektivisht, profilin në shkollë të mesme të lartë, varësisht industrisë dhe profesionit të synuar.

Përpos mirëqenies individuale të nxënësve, projekti ka ndikim në sistemin arsimor dhe në treg të punës. Duke reflektuar mbi hapat e karrierës dhe duke prezantuar të gjitha profilet e SHML-ve, nxënësit inkurajohen të konsiderojnë edhe shkollimin profesional. Në këtë mënyrë, përmes promovimit të shkollave profesionale, ndërmjetësojmë ndërlidhjen me treg të punës.